20.2.09

KREMATORIUM

Flakët kishin përfshirë tërë ndërtesën dhe kopështin e bukur përreth. Digjeshin njerëz, pemë, lule, mobilje dhe dekorata…
Nga bodrumet e ndërtesës dilnin turma minjsh të përflakur e të përzhitur që në panik nuk arrinin të shpëtonin dot nga gjuhëzat e kuqe te flakëve të cilat e mbështillnin kujisjen dhe ulurimën e e tyre me një zhurmë karakteristike të djegies së diçkaje leshtore…


Nuk dinte nëse e kish parë vërtet këtë skenë që i vinte nga fëmijëria e largët apo ishte thjesht një ëndërr. Vite më vonë sa herë që dëgjonte sirena zjarrfikësesh apo shihte në tv ndërtesa që digjeshin gjithnjë atij i kujtoheshin vetëm minjtë…
Çuditërisht kameramanët filmonin vetëm godinën, njerëz që digjeshin, qenër e mace të përzhitur, por kurrë minj.

***

Ai vetë i kish shpëtuar djegies në krematorium. Tifoja ishte treguar zemërgjërë me të pikërisht në çastin kur i kish rrëmbyer të vëllanë gjysëm të metë nga trutë dhe shokët e tjerë të barrakës.Duhet të jesh në prag të vdekjes për të kuptuar që nganjëherë sëmundjet kanë sy më të mprehtë se vdekja…
Aaron Jacobs kish qenë në këtë prag. Nuk e kishte kapërcyer. I kish mbijetuar tifos.
Kish dëshmuar.
Nuk e kishte përmendur krematoriumin në asnje fjale të tij. Kish folur për jetën, por ata donin të dinin veç për vdekjen…

* * *

“Po pastaj çfarë ndodhi me të  tjerët, me shokët e kampit,  me tët  vëlla?”, vinte e paduruar pyetja e vetme e publikut. “Çfarë ndodhi me ata pastaj?”
"Pastaj ata u sëmurën...
"Po pastaj?"
“Pastaj? Pastaj ata vdiqën dhe kufomat ua dogjën.”
"Fol me fjali të  shkurtëra. Pra, po na thua që i dogjën?"
"Po, i dogjën..."
Më në fund publiku kish marrë  frymë  i lehtësuar...

Minjtë përpëliteshin një copë herë në agoni si lëmshe të zjarrtë pa formë dhe pastaj ngrinin ashtu…përfundimisht të zhuritur në ngërçin fatal me gojën dhe sytë hapur…për t’u kthyer më pas në një grumbull të rërtë thëngjinjsh bloze nën këpucët e rënda të zjarrfikësve dhe të të mbijetuarve të zjarrit…

* * *

Kish rifilluar gjithshka nga zeroja. Tashmë jeta i kish mësuar se për këtë botë dëshmia ishte gjithnjë më e rëndësishme se dëshmitari.Të verbërit kishin si gjithnjë dëgjim të mprehtë, edhe pse bota nuk përbëhej veç nga tingujt.

***

Ekipi i përzgjedhur me kujdes i mjekëve dhe profesorëve ia kishin hequr miliarderit Aaron Jacobs shpresat për të jetuar. Kanceri e kish gërryer qënien e tij e cila, pas 92 vjetësh në këtë botë, ngjasonte më shumë me një relike që nuk kishte më fuqi të dëshmonte…
E çfarë kish mbetur për të dëshmuar?
Tërë jetës ishte nderuar e respektuar nga njerëzit vetëm për faktin që ishte i vëllai i atij tjetrit…atij merita e vetme e të cilit ishte të djegurit në krematoriumin e Aushvicit.
Aaron Jacobs kish punuar në atë mënyrë që pasuria dhe gjithshka që kish arritur në tërë jetën të mbushte atë boshllëk që i kish lënë atij vdekja e të vëllait që, edhe pse debil i lindur, kish qenë e vetmja krijesë e dashur e gjakut të tij në këtë botë. Thellë në shpirt ndjehej i lumtur dhe në paqe me ndërgjegjen, kur mendonte se puna e tij e gjatë dhe e palodhur dhe jeta e lumtur prej miliarderi ishte bërë krenarisht varri i munguar i të vëllait debil.
Por me kalimin e viteve kur kishte parë se njerëzia më shumë përmendnin paranë e tij të pafund dhe fatin e të vëllait… kish kuptuar që në të vërtetë varri i munguar i debilit kishte pushtuar dhe vulosur tërë jetën dhe mundin e Aaron Jacobsit.
Ishte ndjerë shumë i mjerë dhe i pafuqishëm edhe pse një teshtimë e vetme e tij mund të trondiste bursat financiare të metropoleve të planetit.
Ish ndjerë i plakur. Më në fund kish arritur  të plakej. Si dikush që pleqërinë e përjetonte si një sakrificë të shkuar dëm.

***

Sot mediat dhanë lajmin e bujshëm. Miliarderi Aaron Jacobs kish vdekur. Ishte ndarë nga kjo botë siç e kish dëshiruar gjatë viteve të fundit: I vetëm. Në gjumë. Një mëngjes  dimri me dëborë, ndërsa një gramafon antik i larë i tëri në flori luante “Sonatën e Hënës”.
Testamenti i tij përbëhej vetëm nga një fjali e cila në vetvete ishte aq e zakonshme dhe aspak e çuditshme për traditën, noterët dhe gazetarët e atij vendi ku kish jetuar:
“Pas vdekjes trupi im të digjet pa asnjë ceremoni në krematoriumin e qytetit .”

©artangjyzelhasani