16.3.13

JO CDO RENIE GJETHESH ESHTE VJESHTE...



gjërat nuk janë si ç’i di ti
tek fjalët e shumta fle hiçi
njërrokëshe është folja “di”
në Londër nuk janë të gjithë xhonsmith-ër
e jo çdo kosovar ka mbiemrin Krasniqi…

ja…afromu…

po shtyhem të të bëj pak vënd
dhe që të ta shpjegoj më thjeshtë
buzët jepmi të t’i puth
e më thuaj nëse je ndjerë kështu…
gjunjëkëputur si tani ndonjëherë…

se nuk janë njësoj puthjet

as stinët nuk janë…
e kur një syth dua të çel në ty
“është vjeshtë”, më thua
“gjethet tona prej kohësh rënë kanë...”

por jo çdo gjethe që bie është e verdhë,

jo çdo rënie gjethesh është vjeshtë
mund të jetë një pranverë e vrullshme
se gjethet nuk janë njësoj,
e njësoj nuk janë as stinët…
lëri amatorët e pasverës
të gëzojnë kur një gjethe bie
e të thonë “erdhi vjeshta”...
pyet dashuronjësit e pranverës
se cilat gjethe bien nga vyshkja
e cilat prej vrullit të erës…
të gjelbërta të gjitha...



(1985, 2012)
©Artan Gjyzel Hasani